Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 18:18

Tetovë – Vetëm dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, shkolla fillore në fshatin Merovë të Tetovës është shkrumbuar tërësisht.

Brenda disa minutave, 134 nxënës, 12 arsimtarë dhe dy teknikë, të kësaj shkolle kanë mbetur pa hapësirat e tyre për mësim. Shkolla fillore “Pashko Vasa” e ndërtuar në vitin 1977, u dogj pikërisht në mesditë. Akoma nuk dihen shkaqet e kësaj fatkeqësie. Zjarrfikësit ndonëse kanë mbërritur me kohë në vendin e ngjarjes, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për ta shpëtuar shkollën prej druri.

“Nga përgjegjësi i shkollës u informova pas orës 12, menjëherë lajmërova stacionin policor në Grupçin, informova dhe kryetarin e komunës së Zhelinës për këtë ngjarje,  kanë intervenuar diçka edhe zjarrfikësit por pa sukses sepse ka qenë barakë shumë e vjetër, e ndërtuar në vitin 1977 dhe nuk ka pasur mundësi që të shpëtohet. Si do ja bëjmë nuk e di, nuk jam kompetent, do mundohemi të gjejmë rrugëdalje, a tek xhamia do mësojnë nxënësit apo ministria do bëj diçka, ajo është punë e tjetërkujt”, deklaroi Nuredin Ismaili, drejtor i SH.F. “Pashko Vasa”.

Në vendngjarje ishte edhe kryetari i komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi. Ai premtoi se do të bëjë çmos që kur të fillojë viti shkollor nxënësit të mos ngelin pa mësim.

“Bëmë angazhimin tonë, thirrëm qendrën për menaxhim me kriza, erdhën edhe zjarrfikësit, por ja shkolla qenka djegur krejtësisht. Për më tepër nuk dua të prejudikoj, shkolla ka qenë e vjetër  formë barake dhe cili është shkaktari sigurisht organet kompetente do e tregojnë atë”, tha Fatmir Izairi, kryetar i Komunës së Zhelinës.

Rreziku për zjarre të tilla është prezent edhe në shumë fshatra të  Malësisë së Dërvenit ku nxënësit mësojnë në baraka të vjetra, më së 30-vjeçare.