Tiranë – Kompania “ACR” do të marrë parasysh kërkesat themelore të minatorëve të Bulqizës. Pas një takimi të zhvilluar në një nga lokalet e Tiranës, palët duket se arritën në një mirëkuptim për zhbllokimin e situatës.
Kërkesat e minatorëve do të diskutohen në mbledhjen e radhës që administratori i kësaj kompanie, Giga Bedineishvili do të zhvillojë në Austri me bordin drejtues.
“Ishte një takim informues dhe frytdhënës me punonjësit e mi. Kërkesat e tyre do të merren në konsideratë dhe së shpejti do të njoftoheni,” tha Bedineishvili.
Arritja në parim e kërkesave konfirmohet dhe nga vetë minatorët, por që gjithsesi shprehen të pakënaqur të një rezultati konkret.
Ndërkohë një palë e tretë e minatorëve, me qëndrime më radikale, e përfaqësuar nga Kol Nikolla, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve u shpreh se, nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe se do të ketë një përshkallëzim të grevës së urisë dhe se në to do të futen edhe minatorë të tjerë. (LajmeShqip.com)
Friday, 12 August 2011 18:25