Elbasan – Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë, “detyrim paraqitje” për Ali dhe Gentian Meçe përkatësisht babë e bir, të cilët u arrestuan tre ditë më parë, pasi u akuzuan për vënien e zjarrit në Hotel “Guri” dhe më pas të godinës së Teatrit ” Skampa”.
Si rezultat i këtij zjarri pak ditë më parë u shkrumbua një pjesë e madhe e godinës së Teatrit “Skampa”, në Elbasan.
Trupi gjykues i kryesuar nga Tomorr Kullolli la në fuqi kërkesën e prokurorit të çështjes Pertef Asllani, i cili kërkoi që për dy shtetasit e sipërpërmendur të hetohet në gjendje të lirë me detyrim paraqitje, për shkak të mungesës së provave.
Babë e bir, kanë qenë duke punuar në tarracën e një hoteli ngjitur me “Teatrin Skampa ” prej të cilit ka ardhur zjarri, që depërtoi në kohë rekord në të tri katet e tij duke shkaktuar një dëm mbi 2 milion euro”.
Të dy personat babë e bir akuzohen për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë që policia e Elbasanit nisi të hënën procedimin penal në gjendje të lirë ndaj pronarit të hotelit “Guri”, Besnik Guri, 49 vjeç dhe të afërmit të tij Mikel Guri, 26 vjeç. Procedimi penal në gjendje të lirë ndaj dy shtetasve u bë në vijim të hetimeve rreth zjarrit të rënë në Teatrin ” Skampa” të qytetit të Elbasanit.
Monday, 08 August 2011 17:34