Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka arritur që ta bindë partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE-në, se nuk duhet të ketë kishë në qendër të Shkupit. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë i partisë së Ahmetit.
“Për ne me rëndësi është se nuk do të ndërtohet kishë në qendër të Shkupit, projekt ne të cilin e kundërshtuam që nga fillimi. Dislokimi i kishës nuk është puna jonë“, ka thënë zyrtari integrist.
Jozyrtarisht, kisha e cila ishte planifikuar të ndërtohet në qendër të Shkupit do të dislokohet në afërsi të shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezes. Lajmin për dislokimin e kishës nuk e komentojnë në partinë e Gruevskit.
Kisha në qendër të Shkupit ka qenë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, e cila shkaktoi reagime të shumta nga ana e partnerit shqiptarë në qeveri BDI-së.
Ndërtimin e kishës e kundërshtuan edhe të rinjtë maqedonas të cilët përmes protestave nuk pajtoheshin me vendimin që në atë vend të ndërtohen objekte fetare.
Ndërkohë, projekti “Shkupi 2014” në sheshin e Shkupit po vazhdon të rris koston e harxhimeve shumëmilionëshe. Ditëve të fundit, Ministria e Kulturës ka arritur marrëveshje të re pa shpalljen e konkursit publik për punimin e disa skulpturave të personaliteteve artistike dhe skulptura arti. Për këtë projekt të skulpturave janë ndarë rreth 600 mijë euro. Pastaj, ndërtimi i Teatrit të Vjetër të Shkupit në pjesën e djathtë të lumit të Vardarit ka arritur një çmim mbi 20 milion euro.
Nga Ministria e Kulturës kanë bërë të ditur se këto skulptura nuk do të simbolizojnë personalitete konkrete të artit, mirëpo ato do të simbolizojnë teatrin, literaturën dhe dramën. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 August 2011 19:33