Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 13:59

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka pasur takim të frytshëm me Buhlerin dhe është sqaruar situata e krijuar.

Sipas tij në takim është arritur mirëkuptim për hapa të mëtutjeshëm dhe është theksuar se në Kosovë nuk ka krizë humanitare.

Situata e krijuar pas informacioneve se është arritur një marrëveshje mes komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe zyrtarit serb, Borisllav Stefanoviq, është sqaruar gjatë takimeve që kryeministri Hashim Thaçi ka pasur mbrëmë dhe sot me komandantin e KFOR-it.

Në takimin urgjent të Qeverisë, kryeministri Thaçi ka thënë në bisedë me komandantin e KFOR-it Eduard Buhler është potencuar se, nëse në ndonjë pjesë të Kosovës, pa dallim, në jug apo në veri, vërehet ndonjë krizë humanitare, institucionet e Kosovës do ta ndihmojnë popullin. Ai deklaroi se pika 1 dhe 31 është zonë e kufizuar ushtarake dhe se nuk do të ketë kthim prapa:

“Veriu, para 25 korrikut ka qenë vrimë e zezë, ndërsa tash ajo pjesë eKosovës ka hyrë në një etapë tjetër, të rendit dhe ligjit. Për kushtetutën dhe ligjet tona nuk do të ketë kompromise”, ka thënë kreu i Qeverisë së Kosovës.

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk është arritur asnjë marrëveshje në mes të KFOR-it dhe palës serbe, por vetëm kanë qenë diskutime.

Kusari-Lila ka theksuar se janë dakorduar se në pjesën veriore të Kosovës do t’u lejohet hyrja e kamionëve mepeshë deri në 3.5 tonë dhe atyre të Kryqit të Kuq, që përmbajnë vetëm produkte humanitare.

“Në asnjë mënyrë nuk do të lejohen mallrat komerciale në këto dy pika, përveç atyre që kanë destinacion humanitar”, tha ajo.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka lejuar që sot nga këto dy pika kufitare të hyjnë 5 kamionë me ndihma humanitare për serbët në veri. (LajmeShqip.com)