Prishtinë – Partia Nacionale Demokratike Shqiptare propozon qё pika kufitare e Kosovës në Jarinë, ku ndodhën trazirat e fundit për shtrirjen e sovranitetit dhe funksionimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, tё emërohet pika kufitare “Enver Zymberi”.
PDSH, përmes një komunikate për media, konsideron se me këtë emërim, i bëhet mirënjohje dhe vlerësim flijimit kuptimplotë të policit Enver Zymberi, i cili me të drejtë nga Presidenca e Kosovës u shpall “Hero i Kosovës”.
“Duke i vënë emrin Enver Zymberi kësaj pike kufitare, ne konsiderojmë se jo vetëm që do ta respektojmë heroin dhe flijimin e tij, por do ta mbajmë pandalshëm, dhe në vendin më të mirë të mundshëm, gjallë dhe aktive përjetësisht porosinë që del nga ky flijim, e cila është ruajtja me çdo kusht e çdo pëllëmbe të tokës së Kosovës, ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të saj, paqes dhe prosperitetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e PNDSH-së, duke shpresuar se propozimi i tyre do të merret seriozisht nga institucionet përkatëse.
Friday, 29 July 2011 16:06