Prishtinë – Çështja e masës së reciprocitetit, që ka vënë qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, nuk do të zbatohet në veri të vendit. EULEX ka njoftuar se kjo çështje ka komplikuar gjërat dhe vendimi i qeverisë është duke u diskutuar.
Vulat doganore të Serbisë do të vlejnë edhe më tej në veri të Kosovës. Vendimi i qeverisë së vendit për vënien e masës së reciprocitetit me Serbinë, sipas EULEX-it dhe doganave të Kosovës, është i pjesshëm, ngase ky vendim nuk po zbatohet nga misioni i BE-së për sundim të ligjit në veri të Kosovës.
Zëdhënësja e komponentit të doganave të EULEX-it, Aleksandra George ka thënë se gjithçka është duke u diskutuar.
“ EULEX-i është i njoftuar me vendimin qeverisë së Kosovës . Ne ende jemi duke e diskutuar fushëveprimin dhe efektin e këtij vendimi. Në vazhdim janë duke u bërë disa diskutime me zyrtarët e qeverisë së Kosovës për të parë pasojat e kësaj”, ka thënë George.
Mos respektimin vendimit të qeverisë për masën e reciprocitetit në portat 1 dhe 31 e ka konfirmuar edhe vetë kreu i doganave të Kosovës, Naim Huruglica. Ai ka thënë se Kosova nuk do të mund të vejë masë të plotë reciprociteti.
Javën e kaluar qeveria e vendit, pas shumë paralajmërimeve, ka vendosur masën e reciprocitetit të mallrave me Serbinë dhe atë të 10 përqindëshit të doganës për Bosnjë e Hercegovinën. Por, ky vendim del të jetë i vlefshëm vetëm për dy pikat doganore, përderisa e njëjta nuk do të vlen edhe më tej për pikat kufitare të veriut. Si pasojë edhe importuesit mallrave do të munden, lirisht, të shfrytëzojnë pikat 1 dhe 31.
Monday, 25 July 2011 18:16