Prishtinë – Të shtunën mbrëma në Prizren ka filluar edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest“.
Gjatë gjithë ditës së shtunë Prizreni ka funkcionuar si orkestër e madhe, ku secili prej njerëzve e ka ditur rolin e vet. Numri dhjetë ka qenë kryesori në Prizren. Flamuj të vendosur në gjithë qytetin, posterët e mëdhenj me domethënien e numrit 10 ka qenë fytyra e Prizrenit.
Mikiste Boloni, një njëzet e pesëvjeçar nga Italia, i cili studion regjinë e filmit ka qenë njëri ndër personat të cilët kanë ardhur në Prizren këtë javë.
“Është hera e dytë që vij. Kam qenë edhe vitin e kaluar dhe më ka pëlqyer shumë. Prandaj kam vendosur që të vij edhe këtë herë“, ka thënë Boloni.
Qyteti i cili për një javë shndërrohet në vendin ku artistë nga e gjithë bota bëhen bashkë për të parë filma tek kinemaja mbi Lumbardh, në Kala ose te Lidhja e Prizrenit ka gumëzhirë të shtunën gjatë tërë ditës. Regjisorë, aktorë e personalitete të njohura të kinematografisë kanë zbarkuar në qytetin e lashtë. Të përcjellë nga vullnetarët e festivalit, ata fillimisht janë rehatuar në hotele apo shtëpi të vjetra të qytetit e më pas janë bërë bashkë në ceremoninë e hapjes së Festivalit “Dokufest“.
Edhe ceremonia ka qenë, po ashtu e veçantë. Viti jubilar nuk ka mundur të jetë sikur të tjerët. Një projektor i madh i vendosur në Kinemanë Lumbardhi, në të cilën është shfaqur në retrospektivë moderne duke mos shfaqur pamje të filmave por vetëm fotografi të bazuara në traditë bashkë me lëshimin e disa balonave të bardhë në qiell, kanë qenë shenjat e hapjes solemne të festivalit.
Një X i madh si sinonim i edicionit të dhjetë, në ekran ka qëndruar vetëm disa sekonda përderisa organizatorët nuk i kanë rezervuar vetes ndonjë fjalim. Drejtorit ekzekutiv i festivalit, Aliriza Arenliu ka thënë se kjo është bërë me një qëllim.
“Po e festojmë dhjetë vjetorin dhe ky është një edicion jubilar. Prandaj kemi vendosur që të mos flasin fare organizatorët”, ka thënë Arelnliu.
Hapjen e festivalit, duke u prezantuar me emrat e tyre, e kanë bërë katër vullnetarë të festivalit të cilët pasi janë prezantuar kanë thënë se “Festivalin po e shpallim të hapur“.
Rendi i është lënë projeksioneve për çka edhe ekziston festivali. Filmit “Nostalgia for the Light“ me regji të Patricio Guzman ka qenë ai që është shfaqur i pari në këtë edicion. Po të shtunën janë shfaqur edhe filmat “Bogota Change”, “Marathon Boy”, “The pipe”, “Detorit ëild city” dhe “You don’t like the truth”.
Sunday, 24 July 2011 18:33