Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Björnsson, sot në Dyz të Podujevës vunë gurthemelin për ndërtimin e burgut të sigurisë së lartë.
Kryeministri Thaçi tha se ndërtimi i këtij burgu është vazhdim i përkushtimit të Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe hap tjetër në rrugën e pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ndërtimi i këtij objekti i kontribuon drejtpërdrejt fuqizimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës të sundimit të ligjit në Kosovë. Ky projekt ju mundëson të burgosurve të shfrytëzojnë masat e nevojshme për përmirësimin e tyre dhe ri-integrimin në jetën ekonomiko-shoqërore”, tha kryeministri Thaçi.
Ministri Kuçi fillimin e ndërtimit të burgut të sigurisë së lartë e vlerësoi si të rëndësisë vitale për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ndërsa Björnsson tha së ndërtimi i këtij burgu do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Ndërtimi i Burgut të Sigurisë së Lartë është projekt i bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës.
Wednesday, 20 July 2011 21:25