Tiranë – Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi të martën projektligjin “Për miratimin e kontratës së lidhur ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Shoqërisë “Eurocopter”, për furnizimin me një helikopter EC 145 VIP”.
Ky tip helikopteri, që pala shqiptare do të blejë nga kjo shoqëri, do të kushtojë 5.35 milion euro dhe brenda këtij çmimi parashikohet dhe trajnimi i dy pilotëve për një periudhë dhjetëditore, trajnimi i teknikëve të mirëmbajtjes për katër javë, asistenca teknike dhe dokumentet e nënshkruara.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, thotë se projekti i blerjes së këtij helikopteri është i rëndësishëm për shkak të operacionalitetit të ri që krijon në kryerjen e transportit të personaliteteve shtetërore.
Ky projekt konsiderohet pjesë e krijimit të asetit të rëndësishëm të flotës së helikopterëve për Forcën Ajrore, e cila kryen edhe transportin ajror të personaliteteve të larta shtetërore. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 12 July 2011 13:15