Prishtinë – Qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar nga sëmundjet infektive më shumë se sa vendet e tjera të Evropës, kjo statistikë është publikuar në raportin e zhvillimit njerëzor për vitin 2010 nga UNDP. Po ashtu, në këtë raport thuhet se edhe jetëgjatësia e kosovarëve është më e ulëta në rajon dhe në Evropë.
Vetëdijësimi i qytetarëve për të kërkuar ndihmë mjekësore është shumë i ulët, ndihma mjekësore kërkohet vetëm atëherë kur shfaqen simptomat e rënda të sëmundjeve infektive, kështu theksohet në raportin e publikuar nga Programi I Kombeve të Bashkuara për zhvillim -UNDP. “Qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar nga sëmundjet infektive shumë më shumë se sa vendet e tjera të Evropës, në përgjithësi kjo shihet edhe në jetëgjatësinë e tyre, ku jetëgjatësia e kosovarëve është më e ulëta në rajon dhe në Evropë”, thuhet në raport. Gjatë vitit të kaluar kanë vdekur 8 pacientë të prekur nga ethet hemorragjike, por sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë këtij viti në Kosovë nuk ka pasur epidemi të fruthit dhe janë zbutur rastet e sëmundjeve të turbekulozit. Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të shëndetit publik deklaroi se masat e ndërmarra kanë treguar rezultat të plotë, ku rastet e etheve hemorragjike kanë shënuar rënie gjatë këtij viti, “kemi pasur vetëm 3 raste dhe asnjë vdekje”. Edhe përkundër masave parandaluese sëmundjet e brucellozës, të barkqitjes dhe ajo e meningjitit vazhdon të jetë prezente në vendin tonë, por sipas mjekëve këto sëmundje shkaktohen nga papastërtia e duarve dhe përdorimi i ushqimit të papastër. Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive, deklaroi se edhe gjatë kësaj vere ballafaqohemi me helmimet në ushqim, me ethe hemoragjike me sindromën e meninxhitit dhe me sëmundjet e tjera që janë të përditshme”, tha ai. Në Klinikën Infektive të QKUK së brenda 24 orëve ka 50?60 raste të sëmundjeve infektive, ndërsa në sezonat e epidemive numri arrin deri në 100 pacientë në ditë, por sipas drejtorit të kësaj Klinike Shemsedin Dreshaj kjo Klinikë mund të mjekoj deri në 146 pacientë brenda një dite.
Wednesday, 06 July 2011 13:30