Prishtinë – Delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit do të bisedojnë sot në Bruksel për finalizimin e marrëveshjes në gjashtë tema të ndryshme, midis dy vendeve.
Në takimin e sotëm pritet të arrihet marrëveshje për për lirinë e lëvizjes, tregtinë e lirë, telekomunikacionin, energjinë, dokumentet katastralë dhe ata civilë.
Ekipet e Kosovës e të Serbisë në dialog duhet të kenë rrumbullakuar të gjitha modalitetet për temat që tashmë i kanë diskutuar në katër takime e mëparshme në Bruksel.
“Kosova nuk do të pranojë të diskutohet për tema të tjera, para se të arrihet pajtimi për këto që tashmë janë diskutuar”, ka thënë Visar Xani, këshilltar i udhëheqëses së delegacionit të Kosovës, zv/kryeministres Edita Tahiri.
Ndërkohë, shefi i ekipit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borislav Stefanoviq, ka paralajmëruar se në takimin e radhës në Bruksel do të arrihen zgjidhje për disa çështje konkrete. Ai ka thënë se zgjidhjet që do të arrihen nuk do t’i pëlqejnë opozitës në Serbi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 July 2011 09:04