Tiranë – Gjykata e Tiranës ka marrë në shqyrtim gjyqësor çështjen ndaj një 29-vjeçari, i dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë së Shtetit, gjatë protestës së dhunshme para selisë së Kryeministrisë, më 21 janar 2011.
Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës, të cilat pohuan se bëhet fjalë për çështjen në ngarkim të shtetasit, Feta Mataj, 29 vjeç, banues në Durrës.
I arrestuar pak ditë pas protestës së opozitës para kryeministrisë në 21 janar, 29 vjeçari Mataj u mor nën hetim nga prokuroria e Tiranës, me akuzën e “kundërshtimit të punonjësit të rendit”. Ndërkohë, me përfundimin e hetimit, çështja ndaj tij i’u dorëzua për shqyrtim gjyqësor, Gjykatës së Tiranës.
Ky shtetas dyshohet se ka goditur me sende të forta punonjësit e policisë në shërbim për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, para kryeministrisë, gjatë protestës së opozitës në 21 janar.
Ditët e fundit, në Gjykatën e Tiranës janë dorëzuar nga prokuroria disa çështje për shtetas që dyshohet se janë përfshirë në akte dhune gjatë protestës së opozitës, në 21 janar, para kryeministrisë.
Wednesday, 15 June 2011 15:05