Prishtinë – Devolli Group përmes një kumtese të lëshuar sot për mediat, ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që flet për ngritjen e aktakuzës kundër pesë personave në kontekst me hetimet në lidhje me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) në mes të PTK-së dhe Dardafon.
“Për të njëjtën, ne kemi mësuar vetëm nga raportimi i mediave. Devolli Group beson thellësisht se hetimet e mëtutjeshme do të tregojnë se, duke mbrojtur interesin e kompanisë, ne natyrshëm kemi synuar arritjen e një marrëveshje sa më të volitshme me PTK-në, dhe se duke e bërë këtë nuk kemi vepruar në asnjë moment në kundërshtim me ligjet në fuqi në Kosovë”, thuhet në kumtesë.
E njëjta kumtesë vë në dukje parimin e Devolli Group, sipas së cilës, është i përbashkët edhe me atë të PTK-së.
“Me marrëveshjen e lidhur, kemi bërë që të përfitojë si PTK-ja dhe Dardafon, por gjithashtu të përfitojnë edhe konsumatorët.
Sidoqoftë, Devolli Group mbetet i hapur dhe bashkëpunues me të gjitha organet për t’u ndriquar sa më shpejtë e vërteta rreth këtij rasti”, thuhet në përfundim të kumtesës.
Thursday, 09 June 2011 18:42