Prishtinë – Matura Shtetërore 2011 ka filluar sot në orën 10:00 për rreth 30 mijë maturantë në Republikën e Kosovës. Pyetësori është hartuar nga Komisioni përkatës dhe përmban 100 pyetje.
Ndër risitë e procesit të sivjetshëm të Maturës Shtetërore është ajo se nxënësit që kalojnë me sukses këtë sprovë, nuk do të kenë nevojë të hyjnë në provim pranues për regjistrim në fakultetin e shkencave matematikore-natyrore, fakultetin e bujqësisë dhe atë të makinerisë.
Testi mbahet njëkohësisht në 101 qendra dhe zgjat 180 minuta.
I tërë procesi mbështetet edhe nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët qëndrojnë jashtë hapësirave (objekteve) ku testohen nxënësit.
Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, njëherësh zv/ministër i Arsimit, Nehat Mustafa, me bashkëpunëtorë, zhvilloi dje një takim me zyrtarët e Ministrisë, të cilëve u dha udhëzimet e fundit që kanë të bëjnë me administrimin e testit.
Saturday, 04 June 2011 11:49