Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 18:11

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit, sot, me Hoëard Dean, ish- guvernator dhe drejtor në Bordin e Institutit Nacional Demokratik të SHBA, tha se “SHBA dhe Kosova do të gëzojnë raporte të përhershme dhe të veçanta”.

Kryeministri Thaçi e falënderoi Dean për kontributin e Shteteve të Bashkuara, nga ana e demokratëve dhe republikanëve pa dallim, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai e informoi Dean lidhur me progresin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, bën të ditur zyra e shtypit e qeverisë.

Më tej kryeministri Thaçi u shpreh se “reformat kushtetuese dhe zgjedhore tashmë kanë filluar për të siguruar demokraci më përfaqësuese dhe më llogaridhënëse para qytetarëve. Komisionet kanë filluar tashmë punën dhe çdo ndihmë dhe asistencë e NDI është e mirëseardhur”.

Dean shprehu gatishmërinë e NDI për të ndihmuar komisionet reformuese, për të forcuar sistemin politik dhe për të siguruar një përfaqësim sa më të denjë në institucionet e Kosovës, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.