Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 18:04

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim Guvernatorin Hoëard Dean, ish- kryetar i DNC-së (Komiteti Kombëtar Demokrat) dhe ish-kandidat për president në SHBA.

Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se në këtë takim Presidentja Jahjaga tha se lidhja dhe miqësia me SHBA-në është e thellë dhe e patundur. Ajo e vlerësoi lart mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Presidentja tha se roli i SHBA-së në Ballkan mbetet jetik dhe i pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit si dhe për procesin e integrimit euroatlantik të tij.

Ajo theksoi se si Presidente e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të punojë për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës dhe që institucionet të jenë transparente dhe të përgjegjshme.

Presidentja Jahjaga, në vijim të takimit tha se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themel i demokracisë dhe kusht i domosdoshëm për institucione të hapura dhe të përgjegjshme. “Zgjedhjet e lira dhe të drejta do të mund të zhvillohen jo vetëm me përmirësimin e ligjit por me zbatimin e tij”, tha ajo.

Guvernatori Hoëard Dean, pasi përgëzoi Presidenten për zgjedhjen e saj, theksoi rëndësinë e angazhimit të të gjitha institucioneve për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore. Ai gjithashtu vlerësoi punën dhe angazhimin e përgjithshëm të institucioneve të vendit në kryerjen e detyrave të tyre.