Durrës – Rruga Tregtare, që shërben edhe si bulevardi kryesor i qytetit të Durrësit, është mbyllur përkohësisht për të mundësuar riparimin e pllakave të dëmtuara të tij.
Punimet po kryhen nga ndërmarrja e rrugëve në vartësi të bashkisë dhe përkojnë me fillimin e sezonit turistik, i cili sjell çdo vit në Durrës dhjetëra mijë pushues nga qytete të ndryshme të vendit si dhe bashkatdhetarë nga Kosova dhe Maqedonia.
Rruga Tregtare me gjatësi 340 metra nis menjëherë pas bashkisë së qytetit dhe përfundon pranë hyrjes kryesore të portit detar. Ky aks rrugor është ndërtuar në vitet 1930, në kuadër të planit rregullues të qytetit menjëherë pas tërmetit të vitit 1926.
Ajo u rindërtua me financimin e bashkisë në vitin 2007, por hapja për qarkullimin e automjeteve si dhe cilësia e dobët e punimeve, sollën amortizimin e shpejtë të bulevardit. Që prej dy vjetësh, ndërmarrja e rrugëve i ka mbushur hapësirat e krijuara nga dëmtimi i pllakave me asfalt, duke e shëmtuar pamjen e mirë që kanë fasadat dhe butikët përreth.
Gjatë sezonit veror Rruga Tregtare mbyllet në mbrëmje për qarkullimin e automjeteve, duke mundësuar shëtitjen e pushuesve dhe të qytetarëve durrsakë.
Tuesday, 31 May 2011 16:26