Tiranë – “Britania e Madhe është një aleate e fuqishme e Shqipërisë në plotësimin e aspiratave integruese”, tha të martën, Presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi me Lordin britanik Riçard Best, Presidentin e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC).
Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve shqiptare, sidomos për mbarëvajtjen e proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë.
“Pas anëtarësimit të vendit në NATO, Shqipëria gjendet përballë një tjetër sfide të cilën ne kemi bindjen se do e përmbyllim me sukses, sfidën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Topi.
Sipas tij, shqiptarët janë të vetëdijshëm për reformat dhe standardet që duhet të përmbushim në këtë drejtim dhe po aq besojnë në mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për t’ia arritur këtij qëllimi.
Nga ana e tij, Presidenti i Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC), Lordi britanik Riçard Best vuri në dukje ndryshimet e mëdha pozitive dhe përparimin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Lordi Best shprehu mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe për përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Ai e informoi Presidentin Topi lidhur me projektet e përbashkëta rajonale për të zgjeruar rrjetin e kërkimeve shkencore dhe për t’u dhënë mundësi studentëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike, që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike.
Tuesday, 31 May 2011 13:18