Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 17:59

Kërçovë – Vetëm gjashtë të punësuar janë shqiptarë në Komunën e Kërçovës. Pra, në bazë të të dhënave zyrtare në ueb sajtin e kësaj komune, numri i total i punëtorëve arrin 66. Por, duke e pasur parasysh se në Kërçovë jetojnë mbi 30 për qind e shqiptarëve numri i tillë i të punësuarve shqiptarë është aq i vogël sa nuk përmbush, madje as 10 për qindëshin nga përfaqësimi i drejtë i garantuar në bazë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO).

Madje, i kontaktuar kryetari i kësaj komune Bllagoja Despotovski ka thënë se të dhënat në ueb sajt nuk janë të sakta, por mbetet e paqartë, përse nuk janë ndryshuar numrat e të punësuarve kur azhurnimi i kësaj ueb faqeje është bërë më 15 prill 2011, gjegjësisht jo më shumë se një muaj e gjysmë. Sipas kryetarit Despotovski, të punësuar janë gjithsejtë 14, që sërish nuk luan ndonjë rol në ndryshimin dramatik të numrit të shqiptarëve në këtë institucion shtetëror. “Të dhënat tona tregojnë se ka më shumë se 6, por sidoqoftë nuk kemi çfarë të bëjmë aq është numri, ju e dini që në komunizëm nuk ka pasur aspak të punësuar shqiptarë, ndërsa në këto vite jemi munduar të punësojmë disa. Unë kam ardhur në vitin 2009 në pozitën e kryetarit të komunës dhe që atëherë janë punësuar 3 shqiptarë”, ka thënë Despotovski. Ai ka pranuar se numri i shqiptarëve është vërtetë i vogël dhe sipas tij, “pritet që disa të dalin në pension që të lirohen vende të tjera pune”. Në bazë të të dhënave të sektorit për resurse humane në këtë komunë, në vitin 2008 ka pasur 7 shqiptarë të punësuar dhe deri më sot janë shtuar edhe 7 të tjerë, ndërsa dy janë avancuar në pozita më të larta.”Në vendet udhëheqëse kemi dy shqiptarë, sekretar i komunës është Ramiz Rexhepi ndërsa Vjollca Abazi udhëheq sektorin e urbanizmit. Por, në të gjitha sektorët ka shqiptarë”, ka thënë udhëheqësja e sektorit për resurse humane në komunën e Kërçovës. Sa i përket këshilltarëve në vetëm dy prej tyre janë shqiptarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim edhe atë Adem Karaga dhe Dashmir Limani, ndërsa këshilli përmban 19 anëtarë shumica nga radhët e VMRO DPMNE-së. Ndryshe edhe partitë opozitare shqiptare në kontinuitet kanë reaguar për numrin e vogël të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, por BDI, e cila particpion në qeveri çdoherë është mbrojtur se përfaqësimi nga qeverisja e kaluar dallon kur në këtë ka participuar ndonjë nga partitë tjetër shqiptare. Partia e Ahmetit në këtë zonë nxjerr tradicionalisht dy-tre deputetë, ndërkohë, që prolongimi i ndryshimit të kufijve administrativ të Kërçovës, e cila ishte objekt i ligjit për decentralizim të sjellë më 2004 ishte pazari politik që bënë partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kur formuan qeverinë e tanishme.