Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 17:16

Tiranë – Drejtoresha e Përgjithshme e Bashkëpunimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, znj. Elisabetta Belloni, në një takim sot në Tiranë me zv/kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, theksoi se Shqipëria është vend prioritar për Italinë.

Zyra e shtypit në Ministrinë e Punëve të Jashtme bëri të ditur se në takimin me ministrin Haxhinasto, znj.Belloni vuri në dukje se “Shqipëria është vend prioritar për projektet e bashkëpunimit italian dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë edhe në të ardhmen”.

Në këtë kuadër, zoti Haxhinasto shprehu nevojën e mbështetjes italiane për përfshirjen e Shqipërisë në rrjetet energjetike panevropiane, në veçanti për projektet në kuadrin e Korridorit 8 dhe gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline).

Ministri Haxhinasto shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik mes dy vendeve tona, të cilat kanë një dimension të rëndësishëm ekonomik. Në këtë kuadër, ai vlerësoi kontributin e madh të qeverisë italiane në Shqipëri dhe vuri theksin në domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe në fusha e projekte të tjera prioritare për vendin tonë, si energjia, turizmi, bujqësia, promovimi i SME-ve, etj.

Znj. Belloni, nga ana e saj, nënvizoi nevojën e rritjes së efektivitetit dhe cilësisë së këtij bashkëpunimi dhe shtrirjes së tij në të gjitha fushat e tjera me interes të ndërsjellë.