Prishtinë – Zv/kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç, po qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni, ku u prit sot nga ministri homolog slloven.
Bostjan Zeks, ministër i Qeverisjes Lokale, i siguroi zv/ kryeministrit Petroviç mbështetje të Sllovenisë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e posaçërisht në procesin e integrimeve evropiane.
Sipas zyrës së shtypit të ministrisë kosovare, Petroviç e njohu ministrin Zeks për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti për procesin e decentralizimit dhe për veprimet që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.
Ministri Zeks tha se Sllovenia ka ofruar përkrahje të vazhdueshme për Kosovën dhe këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë, Petroviç e ftoi homologun e tij Zeks për një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Slloveni, zv/kryeministri Petroviç ka takuar edhe përfaqësues të lartë politikë të Sllovenisë.
Slobodan Petroviç është një nga përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Monday, 30 May 2011 16:24