Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 12:55

Prishtinë – Drejtori i Bordit të Institutit Nacional Demokratik, Houard Din (Haward Dean) e vlerësoi shumë të rëndësishëm procesin e reformës zgjedhore që po zhvillohet në Kosovë. Ai u takua me kryekuvendarin Jakup Krasniqi dhe mori pjesë në një konferencë të organizuara nga NDI, ku u diskutua për reformën zgjedhore. Është e rëndësishme që gabimet që vërehen, të përmirësohen sa më parë dhe kjo që po bëhet me reformën zgjedhore është një proces i shkëlqyeshëm. Kështu deklaroi drejtori i Bordit të Institutit Nacional Demokratik, Houard Din, njëherësh ish guvernator i shtetit të Vermontit në SHBA, i cili e vlerësoi shumë pozitivisht gatishmërinë e gjithë spektrit politik për të qenë pjesë e procesit të reformës zgjedhore. Mirëpo Din, thotë se problemi i zgjedhjeve nuk qëndron vetëm te sistemi zgjedhor, kur u pyet nëse do të ishte votimi elektronik mënyra më e mira për të shmangur keqpërdorimin e votës.

“Nuk është shumë me rëndësi se çfarë mënyre e numërimit bëhet, por është me rëndësi që numërimi të bëhet në mënyrë të sinqertë. Ka sisteme të mira dhe se çfarë sistemi do të përdorni ju do ta vendosni vetë, por varet prej ndershmërisë së njerëzve”

Ndërsa, kryekuvendari Jakup Krasniqi, tha se e pret që dy komisionet e formuara për reformën zgjedhore do ta kryejnë me sukses punën e tyre.

Ndryshe, në Konferencën e organizuar nga Institutit Nacional Demokratik, u diskutua lidhur me mësimet e nxjerra nga Zgjedhjet Parlamentare 2010 dhe Reforma Zgjedhore. Në rekomandimet e raportit vlerësues të përgatitur nga Shërbimi për Hulumtime Parlamentare i NDI-së, në radhë të parë fokusohet përgjegjësia dhe ndëshkimi për shkelësit e ligjit zgjedhor.