Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Artur Zheji, priti sot paradite në ATSH, Kryeredaktorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kineze të Lajmeve, XINHUHA, Z.He Ping.
Gjatë këtij takimi, Z. Zheji bëri një pasqyrë të aktivitetit të sotëm të ATSH-së, si Agjencia e vetme kombëtare në vend, e cila ka kaluar në një stad të ri zhvillimi multimedial, (lajme, audio dhe video). Duke vlerësuar ecurinë e gjatë të bashkëpunimit mes dy Agjencive Z. Zheji, theksoi se ka ardhur një etapë e re për të krijuar hapësira konkrete për të rritur dhe zgjeruar në një shkallë më të lartë këto marrëdhënie, si në aspektin e shkëmbimit reciprok të lajmeve, të njohjes nëpërmjet tyre të zhvillimit të të dy vendeve, ashtu edhe të shkëmbimit të eksperiencës veçanërisht në teknologjinë e informacionit.
Në këtë kuadër, Z. Zheji paraqiti edhe një projektmarrëveshje të re, për të zëvendësuar atë të nënshkruar në vitin 1996, ku XINHUA dhe ATSH të bien dakord për të shkëmber lajme, foto dhe video në mënyrë reciproke që lidhen me sektorët e operimit të tyre përmes internetit pa pagesë, ku secila palë të ketë të drejtën të përdorë këto materiale dhe t’ua dërgojë ato klientëve me kusht që përmbajtja dhe referencat për burimin e lajmit të mos ndryshohen.
Kryeredaktori i Përgjithshëm i XINHUA, Z. He Ping, falënderoi për këtë pritje të përzemërt, dhe pasi vlerësoi hapat e ATSH-së, në modernizimin e saj, u shpreh se “vlerëson projektmarrëveshjen e paraqitur nga Z. Zheji, duke theksuar se sot ATSH, është burimi kryesor i XINHUA-së, për Shqipërinë.” Z. Ping, bëri një paraqitje të shkurtër të aktivitetit të XINHUA, hapat e hedhura prej saj në fushën e digjitalizimit si dhe të përgatitjeve për një projekt të ri për hapjen e një televizioni të XINHUA.
Të dy palët ranë dakord të rakordojnë punën për konkretizimin e projektmarrëveshjes së re mes dy Agjencive të Lajmeve.
Monday, 30 May 2011 12:38