Lajme Shqip Sunday, 29 May 2011 19:03

Prishtinë – Ministria kosovare e Punëve të Jashtme njoftoi sot se nga java e ardhshme, me 1 qershor, trembëdhjetë misione konsullore të Republikës së Kosovës në nëntë shtete, do të jenë të gatshme të pranojnë kërkesat e shtetasve për pajisje me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.

Tashmë, në misionet konsullore të Kosovës është montuar e gjithë teknika e nevojshme, ka përfunduar infrastruktura ligjore dhe janë dërguar aplikacionet e nevojshme për pajisje me letërnjoftime dhe pasaporta, ndërsa do të dërgohen edhe 10 ekspertë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të ndihmuar dhe lehtësuar punën.

Shtetasit e Kosovës me banim jashtë vendit, mund të aplikojnë për dokumente personale pranë misioneve konsullore në Republikën Federale të Gjermanisë, Konfederatën e Zvicrës, Republikën e Italisë, Republikën e Francës, Mbretërinë e Suedisë, Mbretërinë e Belgjikës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republikën e Austrisë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.