Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 15:51

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan bashkëpunimin shumë të mirë mes të dy vendeve, bashkëpunim ky i shtrirë në të gjitha fushat dhe që po vjen zgjerim të vazhdueshëm. Presidentja Jahjaga shtroi nevojën e intensifikimit të këtij bashkëpunimi ndërshtetëror në të gjitha fushat, si dhe bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në iniciativat rajonale.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Ivanov konfirmuan qëndrimin për ecjen e pandalshme të rajonit drejt integrimeve evropiane, si dhe qëndrimin për paprekshmërinë e kufijve aktualë të shteteve të Ballkanit.

Ata gjithashtu diskutuan për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, që është mjaft i intensifikuar, si dhe shtruan nevojën e investimeve dhe bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, sidomos në energjetikë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot në Varshavë, po ashtu, me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk.

Presidentja Jahjaga falënderoi Presidentin Turk për përkrahjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë.

Ajo theksoi se të dy vendet tona kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat dhe sidomos në ekonomi, ku investimet sllovene në Kosovë janë në shkallë të lartë.

Presidentja Jahjaga theksoi në takim synimin e vendit tonë për ecjen sa më shpejt drejt procesit të integrimeve evropiane dhe përfshirjen në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në këtë plan, ajo tha se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja sllovene.

Nga ana e tij, Presidenti i Sllovenisë Danilo Turk uroi edhe një herë zonjën Jahjaga për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.

Ai tha se Kosova dhe Sllovenia janë dy vende mike që kanë marrëdhënie shumë të mira dhe këto marrëdhënie do t’i zhvillojnë edhe më tej në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi.

Gjithashtu, Presidenti Danilo Turk e ftoi Presidenten Jahjaga për vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë.

Edhe Presidenti Turk theksoi bashkëpunimin shumë të mirë mes bizneseve të të dy vendeve dhe u shpreh se Sllovenia mund të ndihmojë në rritjen e shkallës së eksportit të produkteve kosovare.