Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 20:06

Tiranë – Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të tyre në Varshavë, ku po marrin pjesë në Takimin e 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore.

Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim të parë me përfaqësuesen më të lartë të shtetit më të ri ballkanik, Presidenten Jahjaga për zgjedhjen me dy të tretat nga Kuvendi i Kosovës në këtë detyrë, Presidenti Topi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, bashkëpunimin e ngushtë e në rritje në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Duke shprehur mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar në të gjitha proceset e zhvillimit të Kosovës, Presidenti Topi shprehu bindjen e plotë se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit afatgjatë në rajon.

Në këtë drejtim, dy Krerët e Shteteve theksuan rëndësinë e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit në fusha si, infrastruktura, energjetika, drejtësia, turizmi, arsimi, etj,

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojnë të forcohen e konsolidohen më tej, në interes të të dy vendeve fqinje e mike.

Presidentja Jahjaga falënderoi presidentin shqiptar për përpjekjet e tij të vazhdueshme institucionale dhe personale, për shtimin e njohjeve të shtetit të ri të Kosovës nga vende të tjera të botës.

Presidentja e Kosovës, theksoi se “Kosova është shtet i ri që ka ndikuar e po ndikon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon, ndërsa është angazhuar për forcimin e politikës së jashtme, së bashku me institucionet e pozitës e opozitës kosovare, duke hartuar edhe një strategji për këtë qëllim”.

Gjithashtu, duke u ndalur në procesin e ri të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për kontributin e shtetit shqiptar edhe në këtë drejtim, duke nënvizuar se “së bashku, përmes bashkëpunimit reciprok, do të vijojmë të punojmë për të përmbushur detyrimet për integrimin në Bashkimin Evropian”.

Presidenti Topi e ftoi Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.