Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 16:35

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit me Ambasadorin e Bullgarisë në Shqipëri, Theodor Roussinov, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vendin tonë, vlerësoi të premten se, Bullgaria ka qenë dhe mbetet një aleate shumë e rëndësishme e Shqipërisë në sfidat integruese.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, gjatë takimit z. Roussinov tha se qëndrimi i tij në Shqipëri, ka qenë jo vetëm përgjegjësi, por edhe kënaqësi e veçantë.

“Më vjen mirë, theksoi ai, që gjatë mandatit im këtu, kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme, jo vetëm në bashkëpunimin mes dy vendeve, por edhe në proceset integruese të Shqipërisë”.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin me Bullgarinë, që sipas saj është rritur ndjeshëm, falë edhe kontributit të ambasadorit Roussinov.

“Bullgaria ka qenë dhe mbetet një aleate shumë e rëndësishme e Shqipërisë në sfidat integruese”, theksoi Topalli.

Ambasadori bullgar tha se dy vendet po afrohen gjithnjë e më shumë, jo vetëm në pikëpamje politike, por edhe njerëzore.

“Jam veçanërisht i kënaqur që rruga e re Tiranë-Elbasan do të shkurtojë edhe distancën kohore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë”, tha ai.

Duke iu referuar zgjedhjeve të 8 Majit, kryetarja e Kuvendit theksoi se i gjithë procesi zgjedhor u zhvillua në një transparencë maksimale.

“Të gjithë jemi në pritje të finalizimit të procesit. Vota është e shenjtë dhe çdo votë duhet numëruar”, u shpreh ajo.

Ambasadori Roussinov theksoi se mbështetja e Bullgarisë, ashtu siç ka qenë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave, nuk do të mungojë asnjëherë përgjatë rrugës drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe uroj, tha ai, që kjo rrugë të jetë sa më e shkurtër.