Prishtinë – Shefja e diplomacisë evropiane, Kethirn Ashton, theksoi sot perspektivën evropiane të Kosovës dhe tha se Bashkimi Evropian do të mbështesë këtë vizion, derisa të bëhet realitet. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hashim Thaci në Prizren, baronesha Eshton tha se duhet të plotësohen kriteret për anëtarësim në BE, si nga ana e Serbisë ashtu edhe Kosova.
Shefja e diplomacisë evropiane Kethrin Ashton bëri të qartë perspektivën evropiane të Kosovës. Ajo tha se kanë diskutuar me autoritetet e Kosovës, edhe rreth liberalizimit të vizave, tregtisë së lirë dhe rolit të Eulex-it. Por, theksoi do ta ndihmojë Kosovën në përmbushjen e vizionit të saj për integrim në BE.
“Kemi pasur diskutime shumë të rëndësishme, për të adresuar të ardhmen kyce për Kosovën si pjesë e BE. Këtë vizion e ndajmë bashkërisht dhe duam ta shohim të bëhet realitet. Kemi diskutuar gjitha çështje me interes për ju, sic është liberalizimi i vizave, tregtia, roli i EULEX-it. Dhe ne kemi marrë parasysh mënyrat se si mund të ecim përpara”, ka thënë baronesha.
Ajo përgëzoi ekipin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Eshton nuk saktësoi nëse dialogu është kusht për Serbinë që të anëtarësohet në BE. Por, tha se Serbia duhet të plotësojë të gjitha kriteret teknike e politike, pavarësisht se tashmë ka bërë një hap të rëndësishëm – arrestimin e Mlladiqit. Ajo evitoi të përgjigjet gjithashtu nëse Serbia mund të bëhet pjesë e BE-së edhe pa e njohur Kosovën. Në këtë kuadër, shefja e diplomacisë evropiane tha se ka këndvështrime të ndryshme brenda BE-së sa i përket Kosovës.
“çështja kritike është që të sigurohemi se si Kosova edhe Serbia të jenë në BE dhe të zhvillojnë marrëdhënie normale ndërmjet vete”, tha ajo.
Eshton nuk e sheh këtë si sfidë vetëm për Kosovën e Serbinë, por edhe për angazhimin e vetë BE-së.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi theksoi nevojën për një model evropian të zgjidhjes së çështjeve praktike ndërmjet Kosovës e Serbisë. Kryeministri theksoi se Serbia duhet të ketë qasje evropiane ndaj Kosovës, duke thënë se e ardhmja evropiane varet nga bashkëpunimi ndërfqinjësor. Gjatë konferencës së përbashkët që mbajtën në Prizren, baronesha Eshton ftoi kryeministrin Thaçi për një vizitë në Bruksel, për të vazhduar, siç tha ajo, dialogun për çështje të caktuara.
Friday, 27 May 2011 15:58