Prishtinë – Catherine Ashton, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, si dhe Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, në vizitën sot në selinë qendrore të EULEX-it shprehu kënaqësinë për diskutimet në Prishtinë për rëndësinë e të ardhmes për Kosovën.
“Në këtë mëngjes të bukur unë dëshiroj të them se është kënaqësi për mua që ndodhem përsëri në Prishtinë dhe që kam mundësinë të jem këtu në selinë e EULEX-it, bashkë me Shefin e Misionit, z. Bout de Marnhac. Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e përkrahin në tërësi Misionin dhe punën, të cilën është duke u munduar ta bëjë ai”, tha Ashton.
Ajo, sipas njoftimit nga EULEX, theksoi se “përballja me çështjet e rendit dhe ligjit është vërtet me rëndësi. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e Kosovës. Është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e qytetarëve dhe është element thelbësor për ambiciet, të cilat ju i keni lidhur me punën tuaj dhe zhvillimin tuaj me Bashkimin Evropian”.
“Pra, unë shpreha dëshirën të jem këtu dhe t’ju them të gjithë juve se është jashtëzakonisht me rëndësi që të gjithë ne ta përkrahim këtë mision, ashtu siç e bëjmë ne në Bashkimin Evropian, dhe se ne e çmojmë rëndësinë e punës që është duke u bërë, por gjithashtu, siç e thashë, që kam rastin të them se kam kënaqësi të madhe që ndodhem këtu në Prishtinë dhe që e kam mundësinë të diskutoj me Kryeministrin dhe ministrat e tjerë për rëndësinë e të ardhmes për Kosovën”, tha Ashton.
Friday, 27 May 2011 14:21