Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 13:35

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore që po mbahet në Varshavë, zhvilloi sot takim me presidentin e Republikës së Hungarisë, Pal Shmit.

Synim i popullit dhe i institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, që do t’i hapë perspektiva të reja vendit tonë, tha presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga theksoi në takim se synim parësor i popullit dhe i institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, që do t’i hapë perspektiva të reja vendit tonë, ndërsa theksoi rëndësinë e liberalizimit sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.

Të dy presidentët diskutuan edhe për dialogun e filluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidentja Jahjaga tha se zgjidhjet që do të ofrohen duhet të jenë zgjidhje evropiane dhe në funksion të përafrimit të të dyja vendeve me BE-në.

Nga ana e tij, presidenti Shmit theksoi përkushtimin e vendit të tij për përkrahjen e Republikës së Kosovës drejt agjendës së integrimeve evropiane të Kosovës.

Duke theksuar se pavarësia e Kosovës tashmë është një çështje e kryer dhe e përmbyllur, presidenti Shmit tha se duhet të punohet edhe më tej në drejtim të njohjes së këtij realiteti edhe nga ato shtete të cilat nuk e kanë bërë këtë ende.

Presidentja Jahjaga dhe presidenti Shmit diskutuan edhe për bashkëpunimin mes të dyja vendeve, i cili u vlërësua të jetë i nivelit të lartë, me qëllim të intensifikimit të tij, si dhe  për vizitën që presidentja do të zhvillojë në Hungari, thuhet në njoftimin nga zyra e presidencës.