Prishtinë – Ish-kryetarja e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, largohet nga Kosova me shumë gjëra që i kanë mbetur merak pa i kryer gjatë misionit të saj. Thotë se vendosja e sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës është problem politik, kurse për t’i arrestuar “peshqit e mëdhenj”, duhet kaluar në disa faza.
Maria Giuliana Civinini, në një intervistë për Express, para se të largohet nga detyra e saj, si kryetare e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, për herë të fundit paraqiti edhe raportin e punës së gjyqtarëve të këtij misioni për vitin 2010.
Ky dokument është i mbushur me plot të arritura dhe duket paksa në kundërshtim me situatën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, që kritikohet në të gjitha raportet ndërkombëtare.
Duke folur për rikthimin e sistemit të drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës dhe pengesës për funksionimin e drejtësisë ajo tha: “si gjyqtare, nuk është në kompetencën time të bëj me gisht në njërën apo tjetrën palë se kush e bartë fajin për këtë problem. Megjithatë, konstatimi ynë është se ky problem është për arsye të mungesës së vullnetit politik dhe për shkaqe politike dhe pas këtij konstatimi, e jona është t’u adresohemi përgjegjësve politikë që të zgjidhet ky problem. Ne e dimë se zgjedhja përfundimtare dhe e qëndrueshme nuk është e lehtë, por zgjidhje pragmatike mund të gjenden”.
Friday, 27 May 2011 12:06