Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 11:48

Prishtinë – Ka filluar vizitën sot në Kosovë, baronesha Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, si dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, e cila gjatë ditës do të takojë autoritetet kryesore të vendit.

Baronesha Catherine Ashton dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit në Prishtinë, gjatë vizitës në qytetin e Prizrenit do të mbajnë një konferencë shtypi.

Menjëherë pas një takimi të baroneshës Ashton në qeverinë e Kosovës, ku ishin edhe zv/kryeministrja Edita Tahiri, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, pak më parë në një deklaratë për median në Prishtinë u vlerësua lart kjo vizitë.

Zv/kryeministrja Tahiri tha se “kjo është një vizitë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet Kosovë – Bashkim Evropian dhe sigurisht shënon një forcim të marrëdhënieve”.

“Në takim ne diskutuam perspektivën evropiane të Kosovës dhe morëm garanci nga baronesha Ashton se rruga e Kosovës për në BE është e sigurt dhe e qartë”, tha zv/kryeministrja Tahiri, duke theksuar edhe zotimin dhe përkushtimin e qeverisë për reforma.

Ajo tha se gjatë takimit me baroneshën Ashton është biseduar edhe për dialogun teknik Kosovë-Serbi.

“Kjo vizitë është një shtytje e re për dinamizmin e procesit dhe përfundimin e marrëveshjeve”, tha Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike.

Në Prishtinë, Catherine Ashton, do të vizitojë edhe selinë qendrore të EULEX-it.