Tiranë – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe zv/kryeministri i Kosovës, njëherazi edhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, u angazhuan dje në Tiranë se do të rrisin bashkëpunimin mes strukturave dhe specialistëve të pushtetit vendor për shkëmbimin dhe implementimin e politikave dhe praktikave më të mira për qeverisjen vendore, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Gjatë takimit në Tiranë me zv/kryeministrin Petroviç, Nishani e njohu zyrtarin e lartë të Kosovës me rëndësinë që i është kushtuar në Shqipëri zbatimit në praktikë të parimeve të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, delegimin e sa më shumë kompetencave nga pushteti qendror drejt pushtetit vendor, shumëfishimin e grandit dhe financimeve të tjera nga qeveria për njësitë e qeverisjes vendore, dhënien e mundësisë për kredimarrje të drejtpërdrejtë nga njësitë vendore dhe transferimin e pronave publike drejt pushtetit vendor.
Gjatë takimit Nishani u ndal edhe në procesin zgjedhor të 8 Majit, duke theksuar se qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme përmbushën të gjitha detyrat e përcaktuara në ligj për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor, që u zhvilluan më 8 maj 2011.
Nishani tha se në zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor, qytetarët shqiptarë votuan me dokumente identiteti të standardeve më të larta ndërkombëtare, me lista të sakta zgjedhësish që buruan nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Gjendjes Civile dhe në kushte të plota të sigurisë dhe qetësisë përsa i takon rendit publik.
Zyrtarët e lartë të të dy vendeve u angazhuan se do të nxisin binjakëzimin mes njësive të pushtetit vendor në Shqipëri dhe Kosovë dhe shprehën besimin se të gjitha vendet e rajonit janë në rrugë të mbarë në agjendën e përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian.
Friday, 27 May 2011 09:17