Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 19:22

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Malit të Zi, Milan Rocen, në takimin e sotëm në Prishtinë me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi janë shumë të mira dhe këto marrëdhënie do të zhvillohen dhe konkretizohen edhe më tej. Gjithashtu, ai u shpreh se do të vazhdohet tradita e mirë e miqësisë mes të dy vendeve. Në këtë plan, ai theksoi se pjesëtarët e pakicave janë urë e mirë lidhëse mes popujve, bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës kosovare.

Presidentja Jahjaga në takim me Ministrin Rocen diskutoi për një varg çështjesh rreth marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe zhvillimet e përgjithshme në rajon.

Ajo falënderoi për faktin se Mali i Zi është nga shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, gjë që ka simbolikën e saj, sepse të dyja vendet paraqesin përfundimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

“Rruga e përbashkët e vendeve tona është rruga e integrimeve euroatlantike, anëtarësimi në BE dhe në NATO. Në këtë rrugë duhet të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse e ardhmja e gjithë rajonit është në Evropë”, tha Presidentja Jahjaga.

“Presim, si deri më tash, që Mali i Zi të angazhohet dhe të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e saj në organizatat rajonale si dhe që Mali i Zi të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës tek vendet mike të saj dhe sidomos tek vendet e painkuadruara”, vijoi ajo.

Presidentja Jahjaga gjithashtu theksoi se është në interesin e të dyja vendeve që të intensifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, ekonomike dhe kulturore, sepse kjo e ndihmon prosperitetin e të dyja vendeve.