Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 18:16

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Roçen, tha se të gjithë ata që shohin ëndrra për ndarje të shteteve të rajonit  të Ballkanit, vetëm humbin kohë.

Diplomati malazez, në Prishtinë, ka paralajmëruar se në vitin e ardhshëm do ta hapin ambasadën në Prishtinë dhe do ta përfundojnë çështjen e  demarkacionit. Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi tha se nuk do të ketë më ndarje apo shkëmbim territoresh në asnjë vend të rajonit, në këtë rast as midis Kosovës dhe Serbisë.

Roçen deklaroi kështu  gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ku u takua me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçin dhe ministrin e Punëve të jashtme, Enver Hoxhaj.

Ministri malazez Roçen tha se shtetet e rajonit duhet të kenë prosperitet dhe duhet ruajtur pasurinë etnike të rajonit, e jo të mendohet për ndarje.

Gjatë takimit të ministrave Hoxhaj dhe Roçen është biseduar për vënien e marrëdhënieve diplomatike dhe arritjeve  të disa marrëveshjeve mes të dyja vendeve. Ministri Hoxhaj tha se shumë shpejtë do të arrihen marrëveshjen në aspektin e lirisë së lëvizjes, kthimin  refugjatëve, por edhe marrëveshjen ku Kosova do ta njeh me kushtet pakicën malazeze. Në takim  të dyja palët bënë me dije se gjatë viti të ardhshëm do të hapen edhe ambasadat mes Malit të Zi dhe Kosovës, ndërkohë që kanë konstatuar se vitin tjetër do të rregullohet edhe çështja e demarkacionit e që deri tani nuk ka qenë një çështje e ngutshme.