Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 18:08

Prishtinë – “Veriu i Kosovës nuk është vend i lehtë për t’u operuar nga ne, për shkak të implikimeve politike. Kështu u shpreh sot zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks, në një takim me gazetarë, ku u bë edhe publikimi i raportit vjetor të aktiviteteve të gjyqtarëve të EULEX-it.

Sparks, duke folur për sundimin e ligjit në veri të vendit, tha se megjithë vështirësitë me të cilat EULX-i po ballafaqohet atje, misioni është i vendosur të bëjë çmos për ta shtrirë sundimin e ligjit.

“Ne besojmë se ka qenë një lëvizje e mirë. I ftojmë të gjithë qytetarët e Zubin Potokut dhe kudo tjetër, që ta pranojnë, sepse kjo është në të mirë të tyre, që atje të sundojë ligji. I ftojmë të gjithë që të na ndihmojnë”, tha ai.

Duke folur rreth çështjes së Fatmir Limajt dhe imunitetit të tij, Sparks tha se ai është intervistaur nga ana e prokurorëve dhe hetimet ende janë duke vazhduar.

Ndërkaq raporti i publikuar sot nga ana e kryetares së Asamblesë së Gjykatësve të EULX-it, Maria Gjuliana Civini, nënvizon të arriturat e njësisë së gjyqtarëve të Eulex-it në kapacitetin e tyre ekzektutiv, gjatë vitit 2010. Raporti ka për qëllim që të ofrojë një pasqyrë vetëm të funksioneve ekzekutive të gjyqtarëve të EULEX-it në gjykatat e Kosovës dhe nuk e mbulon punën e gjyqtarëve në monitorim, udhëzim dhe këshillim.