Tiranë – Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e vizitës së zv/kryeministrit dhe ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviq, si një kontribut në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për shkëmbimin e përvojave përsa i përket qeverisjes vendore, e cila është qeverisja e drejtpërdrejtë për qytetarin.
Ministri Petroviq e falënderoi përzemërsisht kryeministrin për pritjen dhe i përcolli atij urimet më të përzemërta të Kryeministrit Thaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e falënderuar shefin e qeverisë së Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës.
Një falënderim të veçantë ministri Petroviq shprehu për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë për Komunën e Graçanicës, duke theksuar se qytetarët e Graçanicës presin me kënaqësi të veçantë një vizitë të Kryeministrit Berisha në komunën e tyre.
Në takim u ritheksua se Bashkimi Evropian është e ardhmja më e mirë e të dy vendeve, por dhe e mbarë rajonit. Në këtë kontekst, u ritheksua mbështetja e plotë për dialogun Prishtinë- Beograd, për të gjitha çështjet teknike që kanë të bëjnë me çështje që prekin aspekte të jetës së përditshme të qytetarëve të dy vendeve dhe se fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis tyre është interesi më i mirë për serbët dhe shqiptarët në Ballkan.
Sikundër u theksua se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial është dhe mbetet interesi më i mirë jo vetëm i Kosovës, por dhe i paqes, sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm të mbarë rajonit.
Berisha dhe Petroviq thanë se procesi i decentralizimit, si shumë i rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë dhe qeverisjen e mirë në shërbim të qytetarëve. Po ashtu u vlerësua rruga e kombit, që përfshin rrugën Durrës-Kukës dhe atë që kalon në Kosovë, Vërnicë-Merdarë në punim e sipër, e cila do të shndërrohet në një nga korridoret më të rëndësishme për mbarë rajonin e me gjerë.
Gjithashtu, u vlerësua edhe ngritja e linjës së re të interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Prishtinë, që pritet të fuqizojë sistemet energjetike të të dy vendeve.
Thursday, 26 May 2011 18:00