Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 17:54

Prishtinë – Përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së, në ditën e katërt të grevës, që po mbahet përpara Qeverisë së Kosovës, kanë drejtuar një sërë kërkesash për institucionet e Kosovës, duke deklaruar se janë të vendosur të qëndrojnë në grevë deri në realizimin tyre, në të kundërtën kanë thënë se janë të detyruar të përdorin mënyra tjera të protestimit.
Anëtari i këtij këshilli, Ylber Selimi, ka theksuar se nuk duan të kenë privilegjet dhe lukset, të cilat i kanë qeveritarët dhe disa servilë të tyre, që sot i udhëheqin organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Ai shtoi se nuk i pranojnë tendencat që të barazohen krimineli dhe viktima, dhe se janë të papranueshme arrestimet dhe dënimet e vazhdueshme të luftëtarëve të lirisë, me akuza të pabaza për krime lufte.
Selimi, po ashtu, duke drejtuar nga institucionet e vendit një varg kërkesash, potencoi se nuk duan të trajtohen si kategori sociale, por të trajtohen si luftëtarë të lirisë.
Në të kundërtën, ai paralajmëroi se do të jenë të detyruar t’i përdorin metodat tjera të protestës, të cilat nuk i dëshirojnë.
Ndryshe, greva e veteranëve të UÇK-së ka filluar në mesditën e së hënës, me kërkesë që të miratohet Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. Përderisa ende nuk janë vizituar nga asnjë përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, gjatë ditës së enjte ata i kanë vizituar dy deputetët e PDK-së, Nait Hasani dhe Ramiz Lladrovci.