Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 12:18

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane i Malit të Zi, Milan Rocen, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, viziton sot Kosovën, ndërsa do të pritet në takime të ndara edhe nga kryeministri dhe presidentja e vendit.

Sipas MPJ-së kosovare, pritet të diskutohen tema të ndryshme me interes të të dyja shteteve, me theks të veçantë forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe për proceset e përbashkëta integruese.

Pritet, gjithashtu, të diskutohet për forcimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve në nisma rajonale dhe për mbështetjen reciproke për integrimin e Kosovës dhe Malit të Zi në strukturat euroatlantike.

Në takimin mes ministrit Hoxhaj dhe homologut Rocen, do të flitet për nevojën e nënshkrimit të shumë marrëveshjeve bilaterale, të cilat do të ndikojnë në lidhjen më të fortë mes këtyre dy shteteve.