Prishtinë – Deri në fund të këtij viti, Kosova dhe Mali i Zi do të nënshkruajnë tri marrëveshje: ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe bashkëpunim gjyqësor në çështje penale.
Këto marrëveshje janë konfirmuar nga Zv/kryeministrit dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili dje ishte për vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku në Podgoricë u prit nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë malazese, Dushko Markoviç.
Zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë njofton gjithashtu se në këtë takim u bisedua për mundësinë e finalizimit të marrëveshjeve për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale. Po ashtu u bisedua edhe për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, që të përfundojë deri në fund të vitit.
Në takim u disktua edhe rregullimi i çështjes së pakicës malazeze në Kosovë. Kuçi e siguroi homologun e tij, Markoviç, se pakica malazeze do të ketë trajtim të njëjtë si gjithë shtetasit e tjerë të Kosovës.
Kuçi u takua dhe me kryetaren e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, ku ndodheshin edhe kryetari i Këshillit Prokurorial dhe kryeprokuror i Kosovës, Ismet Kabashi, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.
Thursday, 26 May 2011 12:02