Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 10:32

Shkup – Në Klubin e deputetëve në Shkup është mbajtur takim i Komisionit të përhershëm punues për kufijtë të Maqedonisë dhe Kosovës, ku u akorduan për dy marrëveshje.

Takimin punues e hapi kryetari i komisionit të Maqedonisë dhe sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), Abdulkadër Memedi, ndërsa delegacionin kosovar e ka udhëhequr kryetari i Komisionit, Murat Meha.

Marrëveshja e parë ka të bëjë për qarkullimin të lirë lokal ndërmjet dy shteteve, që është model nga Bashkimi Evropian (BE), ku parashihet që të gjitha vendkalimet kufitare aktuale ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës dhe të gjitha ata vendkalime kufitare që do të hapen, banorët e dy vendeve të brezit kufitar në thellësi prej 25 kilometra nga kufiri të mund të qarkullojnë lirshëm në të dy anët e kufirit pa pasaporta vetëm me vërtetime të veçanta që do të jepen nga institucionet përkatëse të të dy shteteve, në të cilat do të vërtetohet se banori jeton 25 kilometra larg vijës kufitare. Forma dhe përmbajtja e këtij vërtetimi do të definohet në bazë të kësaj marrëveshje dhe në bashkëpunim të të dy Ministrive të Punëve të Brendshme (MPB).

Marrëveshja e dytë është Marrëveshja bilaterale ndërshtetërore për hapjen e vendkalimit kufitar të përbashkët Bellanoc-Stançiç. Siç ishte e ditur se deri tani ky kalim ka qenë lokal me pëlqimin e dy shteteve është arritur që të shndërrohet në vendkalim kufitar ndërkombëtar.

Me firmosjen e kësaj marrëveshje ndërshtetërore e njëjta marrëveshje i bashkëngjitet vendimit të Komisionit Evropian (KE) që nëpërmjet komponentës së 2 të IPA Fondeve do ta financojë objektin e përbashkët të vendkalimit kufitar. Shembull është marrë vendkalimi kufitar i Muriçanit që lidhë Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Ky vendkalim kufitar Bellanoc-Stançiç është pjesë e projektit strategjik të programit për bashkëpunim ndërkufitar të KE-së.