Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 20:49

Shkup – Rikthimi dhe respektimi i së drejtës për kthimin e pronave të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM), ka qenë tema e debatit që u organizua të mërkurën me temën “Neni i 7 i Ligjit për denacionalizim, interpretimi i gabuar që prodhon diskriminim”. Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi ka thënë se BFIM është e bindur se do të ndihmohet e vërteta dhe e drejta që duhet të vijnë në shprehje.

“Ne jemi të shkelur dhe të dëmtuar tejmase dhe kërkojmë forma dhe metoda të ndryshme demokratike që të vijmë deri te ajo që të hiqet padrejtësia. BFIM nuk ka qenë e ndihmuar as nga subjektet e tona që janë në ekzekutiv dhe dhashtë zoti të tilla kurrë nuk do të kemi”, ka thënë Rexhepi.

Profesori universitar pranë UEJL-së në Tetovë, Jeton Shasivari ka thënë se qasja e tij ka të bëjë me një padrejtësi historike dhe kulturore në emër të historisë dhe kulturës. Kjo, sipas tij, po ndodhë në Maqedoni dhe se nga miratimi i Ligjit për denacionalizim, në vitin 1998 pritjet kanë qenë shumë zhgënjyese dhe të pasuara më dëme të mëdha të bëra nga shteti.

“Kthimi i pronave të BFIM do të avanconte pozitën e këtij institucioni dhe shteti do të përcillte një porosi humane dhe solidarizuese, që do të ishte pajtimi dhe paqja me BFIM dhe bashkësitë e tjera fetare. Mendoj se aparati shtetëror aktual duhet të jetë i vetëdijshëm se çdo shtet që qëndron mbi pronat e zaptuara apo konfiskuara, është në interes të tij që të çlirohet nga këto prona që s’janë të tyre. Mirëpo, me vendimet e fundit të Qeverisë, manifestohet një vullnet i kundërt me të gjitha këto që u përshkruan më sipër. Unë kam bindjen se, aktualisht, shteti po bën çmos që prona e BFIM të mos kthehet mbi bazën e ligjit për denacionalizim dhe në këtë rast BFIM paraqitet si viktimë dhe palë e goditur”, ka thënë Shasivari.

Nga ana tjetër, profesori i së drejtës dhe kryetari i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Osman Kadriu ka thënë se me Ligjin e miratuar për denacionalizim ishte një qëllim korigjimi i një padrejtësie, e cila ishte bërë në periudhën socialiste, ndaj personave konkret, subjekteve fizik dhe juridik.

“Ligji në fjalë në momentin e miratimit përmban politikë, por në zbatimin e tij nuk duhet të ketë politikë. Ky ligj duhet të zbatohet dhe implementohet duke pasur parasysh rregullimin e çështjeve, dhe nuk duhet të ketë qasje politike prej organeve që e zbatojnë ligjin në fjalë, por të gjitha palët të jenë të barabarta”, ka thënë Osman Kadriu. Ai ka shtuar se rrugëdalja e vetme nga ky qark diskriminues është procedura për ndryshimin e Ligjit për denacionalizim dhe se sipas tij, kjo mund të bëhet nga përbërja e ardhshme parlamentare pas zgjedhjeve të 5 qershorit.

Madje, profesori universitar nga Universiteti i Manastirit Arse Petrevski ka thënë se prona apo vakëfet e BFIM shërbejnë dhe janë të shenjta për qëllimet e këtij komuniteti. Ato nuk guxojnë të përdoren apo përdhosen për qëllime të tjera.

“Të mirat e vakëfeve nuk guxojnë të përvetësohen sipas të drejtës civile dhe kjo është e garantuar me ligj. Kapan An, Bezisten dhe Allaxha xhamia, thuhet se janë institucione të kulturës të mbrojtura nga ana e Ministrisë së Kulturës. Kjo nuk guxon të ndodhë dhe të përvetësohen pronat e BFIM. Edhe legjislativa e BE-së, për të cilën pretendojmë ne dhe institucionet obligojnë të gjitha palët që duhet të respektojnë standardet që janë mbi pronën, në këtë rast pronat e BFIM-së”, ka thënë Petrevski. Përfaqësuesi i deritanishëm i komisionit qeveritar të shkallës së dytë për denacionalizimin, Vefki Hasan ka theksuar se në mënyrë destructive aplikohet dhe zbatohet Ligji për denacionalizimin. Sipas tij, në mënyrë restriktive diskriminohet e drejta e pronës së BFIM-së. Ndërkohë, ligjëruesi universitar i USHT-së, mr. Agim Nuhiu theksoi se çështja e denacionalizimit është një labyrinth i përcjellur me çalime të mëdha dhe mosrespektim të legjislativës.