Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të 21 vendeve të Evropës Qendrore, në Varshavë, më 27-28 maj, ku do të jetë dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
Liderët e shteteve do të diskutojnë për sfidat e demokracisë në vendet e tyre, bashkëpunimin bilateral dhe multilateral dhe procesin e integrimeve.
Në një seancë pune që udhëhiqet nga Presidenti i SHBA-së, liderët do të bisedojnë për lëvizjet popullore në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, sfidat dhe kahet e tyre, si dhe për ndikimin që kanë në vendet e tjera.
Presidentja e Kosovës, Jahjaga do të marrë pjesë aktive në diskutim në të gjitha sesionet e këtij Samiti. Ajo do të flasë për pavarësinë e Kosovës, ndërtimin e institucioneve, proceset e integrimeve evropiane, barazinë nacionale, harmoninë fetare, për liritë dhe të drejtat e njeriut, bashkëpunimin rajonal, ndihmën ndërkombëtare dhënë Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë.
Gjatë samitit në Varshavë të gjithë liderët, përveç në takimet plenare do të kenë edhe takime bilaterale. Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i kanë përcaktuar takimet bilaterale me delegacionet e vendeve pjesëmarrëse.
I një rëndësie të veçantë do të jetë takimi me Presidentin e SHBA-së, Barack Obama, duke pasur parasysh rolin lider të SHBA-së në botë dhe ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë dhe po jep SHBA-ja për Kosovën dhe për proceset demokratike në vend.
Wednesday, 25 May 2011 19:53