Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 18:26

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti Zv/kryeministrin dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviçm së bashku me delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë, në përbërje të të cilit ishin përfaqësues nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Presidenti Topi vuri në dukje domosdoshmërinë që ka për shtetin e ri të Kosovës mirëfunksionimi i pushtetit lokal për ta sjellë vendimmarrjen më pranë qytetarëve, për t’i shërbyer përmbushjes së kërkesave dhe nevojave të gjithë popullsisë.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi faktin se klasa politike dhe qytetarët kosovarë në mënyrë të vazhdueshme kanë dëshmuar maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim për sfidat thelbësore për konsolidimin e shtetit multietnik edhe përmes respektimit të drejtave të të gjithave pakicave në vend.

Kreu i shtetit shqiptar ritheksoi besimin se në këtë mënyrë Kosova po hedh hapa të sigurt përpara në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur, sovran dhe multietnik, si dhe të institucioneve demokratike. “Janë këto shtyllat kryesore të mbështetjes për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, u shpreh Presidenti Topi, duke ritheksuar mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar për Kosovën në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Zv/kryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviç, shprehu mirënjohjen për këtë takim me Presidentin Topi, duke vlerësuar rolin dhe figurën e tij si një politikan proevropian dhe pozicionin mbështetës të Shqipërisë ndaj zgjerimit të hartës së njohjeve të reja të shtetit të Kosovës si dhe inkurajimit të zhvillimit të dialogut Prishtinë-Beograd për çështje teknike.
Petroviç, pasi bëri një panoramë të detajuar të zhvillimeve më të fundit në Kosovë dhe të sfidave me të cilat përballet qeveria ku ai bën pjesë, nënvizoi faktin se dy vendet tona të cilat ndajnë shumë gjëra të përbashkëta, gëzojnë një bashkëpunim dhe marrëdhënie shumë të mira, që shërbejnë për përmbushjen e qëllimeve integruese në strukturat euro-atlantike.