Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 18:02

Prishtinë – Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, nesër për vizitë zyrtare në Kosovë do të qëndrojë ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane i Republikës së Malit të Zi, Milan Roçen.

Në takimin me ministrin Hoxhaj pritet të diskutohen tema të ndryshme me interes të të dyja shteteve, me theks të veçantë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për proceset e përbashkëta integruese të dy vendeve fqinje, njofton Zyra për informim e MPJ-së së Kosovës.

Po ashtu, do të diskutohet për përforcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në nisma rajonale, si dhe për mbështetjen reciproke për integrimin e Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në strukturat euroatlantike.

Në takimin do të flitet edhe për nevojën e nënshkrimit të shumë marrëveshjeve bilaterale, të cilat do të ndikojnë në lidhjen më të fortë mes dy shteteve.