Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 14:29

Tiranë – Gjykata e Lartë e Shqipërisë është shprehur kundër kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të rikthyer në burg gardistin Gazmend Ahmetaj, i cili bashkë me dy gardistë të tjerë, është në hetim e sipër në liri si i dyshuar për vrasjet e katër demonstruesve më 21 janar, përballë godinës së Kryeministrisë.

Kështu ka qenë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që e ka cilësuar të drejtë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të rrëzojë kërkesën e prokurorisë për mungesë provash.

Efektivi i Gardës së Republikës, u cilësua nga prokuroria si një nga pjesëtarët e “grupit të zjarrit”, të cilët qëlluan me armë në demonstratën e 21 janarit. Gjykata e Shkallës së Parë caktoi më 7 shkurt të këtij viti masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor. Gardistët ankimuan vendimin dhe më 2 mars garditës u liruan nga qelitë. Për shkak të mangësisë në provat që faktonin përfshirjen e tyre në vrasjet, apo plagosjet e ndodhura gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, Gjykata e Apelit caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

I vetmi i mbetur në burg është gardisti Agim Llupo, i cili akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit përpara godinës së kryeministrisë. Gjatë protestës humbën jetën dhe Hekuran Deda, Aleks Nika Faik Myrtaj.