Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 14:24

Tiranë – Pas një muaji angazhimesh në fushatën elektorale, ditën e zgjedhjeve dhe një javë përballjeje me deputetë dhe militantë të Partisë Socialiste pranë KQZ-së, mbërrin një lajm i mirë për efektivat e policisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka urdhëruar likuidimin e orëve të punës jashtë orarit për efektivat blu. Ndërkohë që për shërbimet e rendit të Policisë së Tiranës, njësisë së operacioneve speciale, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-t, është diskutuar edhe dhënia e gjysmë rroge shpërblim.

Lajmi është konfirmuar nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Angazhimi i Policisë për zgjedhjet e 8 majit mori vlerësime maksimale nga organizata ndërkombëtare e vëzhgimit të zgjedhjeve OSBE-ODIHR, koalicioni i vëzhguesve vendorë dhe të tjera organizma vendase dhe ndërkombëtare.