Prishtinë – Në Veri të Mitrovicës është hapur sot Qendra për Shërbime për Qytetarët, në kuadër të obligimeve të institucioneve të Kosovës dhe reformës së pushtetit lokal, për të ofruar shërbime sa më afër qytetarëve.
Qendra shtë hapur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me ministritë e linjës: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Administratës Publike.
Qendra për Shërbime për Qytetarë do të ofrojë shërbime për regjistrimin e bizneseve e organizatave joqeveritare dhe do t’i mundësojë edhe Ekipit Përgatitor Komunal (për komunën e re të Mitrovicës së veriut) të krijojë lidhje më të forta me komunitetin si dhe t’u përgjigjet më mirë nevojave të qytetarëve.
Burimet zyrtare nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal theksojnë se këto shërbime nuk ofroheshin më parë në veri të Kosovës. Përvoja nga hapja e Qendrës për Shërbime Civile në veri të Mitrovicës vitin e kaluar, ka treguar se një numër i madh qytetarësh janë pajisur me dokumente si çertifikata të lindjes, letërnjoftime dhe pasaporta.
Wednesday, 25 May 2011 13:48