Prishtinë – Një gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, e ka anuluar të martën vendimin e vet dhe i ka liruar nga paraburgimit gjashtë zyrtarët e Komunës së Prishtinës.
Rafet Haxhaj ua ka ndërprerë paraburgimin Ridvan Shahinit, drejtor i Infrastrukturës Rrugore, Ekrem Rexhës, shef i zyrës së prokurimit, Qazim Bajramit, kryesues i Organit mbikëqyrës të projektit dhe zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Refik Sadikut, kryetar i Organit mbikëqyrës, e po ashtu zyrtar i drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hazir Krasniqit dhe Halil Fejziut, anëtarë të Organit mbikëqyrës dhe zyrtarë i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, të cilët dyshohen se kanë ndryshuar kontratën për ndërtimin e kolektorit të lumit Prishtevka.
Prokurorja pretendon se në kontratën në mes të Komunës dhe “Çlirimit” është përcaktuar se do të paguhen nga 200 mijë euro sipas sasisë së punimeve.
Një ditë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka vlerësuar të paligjshëm vendimin për caktimin e paraburgimit, ky gjyqtar ua ka ndërprerë paraburgimin duke vlerësuar se nuk ekzistojnë më arsyet për paraburgim.
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim dje dnë favor të mbrojtjes për mbrojte të ligjshmërisë duke e cilësuar vendimin e gjyqtarit të pa ligjshëm. “Me bazë pretendohet në të gjitha kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë se që të dy aktvendimet janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që i bën juridikisht të paqëndrueshme”, thuhet në aktgjykim.
Gjashtë zyrtarët e paraburgosur të Komunës së Prishtinës, Ekrem Rexha, Ridvan Shahini, Refik Sadiku, Halil Fejziu, Hazir Krasniqi dhe Qazim Bajrami, janë arrestuar në fillim të këtij muaji, në cilësinë e të dyshuarve se kanë keqpërdorur 846 mijë euro në tenderin për ndërtimin e kolektorit atmosferik mbi lumin “Prishtevka”.
Të premten, ndërkohë EULEX-i ka refuzuar që të merret me zyrtarët e Komunës së Prishtinës.
Tuesday, 24 May 2011 21:27